Prof. Ass. Dr. Naime Brajshori është rektore e Kolegjit Heimerer në Prishtinë që nga viti 2020. Më parë, nga viti 2010 deri në vitin 2020, ka mbajtur rolin e dekanes së programit të Infermierisë dhe zëvendës-drejtoreshës së Kolegjit Heimerer. Znj. Dr. Brajshori është e doktoruara e parë në Shkenca Shëndetësore dhe Infermieri në Kosovë, e cila ka përfunduar doktoraturën në Universitetin Martin Luther, Halle-Wittenberg, Gjermani. E dalluar gjatë studimeve master 2008-2010 në Gjermani, ka qenë edhe bashkëpunëtore-hulumtuese në Fakultetin e Mjekësisë, Institutin e Shëndetësisë dhe Shkencave të Infermierisë për zbatimin e projekteve DAAD me titull: “Rindërtimi Akademik në Evropën Juglindore” nga Universiteti Martin Luther Halle-Ëittenberg.
Puna dhe interesat e saj kërkimore janë të përqendruara në promovimin e një kulture të sigurisë së pacientëve dhe përmirësimin e sigurisë së pacientëve në spitale, promovimin e sigurisë në punë dhe ruajtjen e shëndetit të punëtorëve shëndetësor, si dhe kërkesat dhe nevojat e tregut të punës për profesionistët shëndetësorë, zhvillimin e studimeve dhe profilizimin e programeve për infermierët. Që nga viti 2008 deri në vitin 2016 znj. Brajshori është angazhuar si ligjëruese në Departamentin e Infermierisë dhe Mamisë në Universitetin e Prishtinës dhe ka qenë koordinatore e Projektit Tempus "Insteap", i cili ka krijuar programin studimor Master Shkencor "Edukimi në Kujdesin Shëndetësor" në Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Prishtinës, i cili është i akredituar që nga viti 2014. Znj. Dr. Naime Brajshori është gjithashtu koordinatore në Institutin e Evropës Juglindore për Shëndetësi dhe Politika Sociale, i themeluar me mbështetjen e DAAD dhe një nga themeluesit e institutit. Ajo punon me një rrjet multidisiplinor të profesionistëve shëndetësor dhe profesionistëve të tjerë të shkencave sociale, të cilët kanë përvojë të gjerë në menaxhimin e sigurimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve të këshillimit arsimor në Kosovë.
Ajo është gjithashtu organizatore e shumë projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe autore e shumë artikujve shkencorë, si dhe koordinatore e simpoziumeve shkencore ndërkombëtare, konferencave dhe eksperte për projekte të ndryshme shëndetësore.