Dr. Sc. Amela Ibrahimagić prezantuese në Konferencë

Dr. Sc. Amela Ibrahimagić prezantuese në Konferencë

Dr. Sc. Amela Ibrahimagić

Tema të cilën do të prezantojë znj. Ibrahimagić është “Çfarë është Komunikimi Alternativ Augmentativ?”

Sot, simptoma dhe çrregullime të ndryshme janë në rritje e sipër. Shumica e çrregullimeve të tilla si spektri i autizmit dhe paraliza të ndryshme rezultojnë në dëmtimin e komunikimit. Komunikimi Alternativ Augmentativ përfshin metodat e komunikimit të cilat përdoren për të përmirësuar të folurin dhe komunikimin tek personat që kanë vështirësi në prodhimin ose të kuptuarin e gjuhës së folur apo të shkruar. Kjo formë e re dhe efikase e komunikimit ka gjetur përdorim mjaft të gjerë në terapinë e gjuhës dhe të folurit. Prezantimi i Dr. Sc. Amela Ibrahimagić do të na informojë më gjerësisht për Komunikimin Alternativ Augmentativ dhe përdorimin e tij në fushën e Logopedisë.

Biografia

Dr. Sc. Amela Ibrahimagić ka të përfunduara studimet në Departamentin e Defektologjisë, në Universitetin e Tuzlës, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Si rezultat i suksesit të saj të madh, ajo u përzgjodh si asistente në fushën e Logopedisë në Departamentin e Defektologjisë, në Universitetin e Tuzlës. Angazhimi i znj. Ibrahimagić është fokusuar në fushën e terapisë së gjuhës dhe të folurit duke përfshirë çrregullimet e zërit, çrregullimet fonologjike, çrregullimet zhvillimore-gjuhësore dhe foniatrikën. Duke marrur për bazë arritjet akademike dhe profesionale të znj. Ibrahimagić, me vendim të Senatit të Universitetit të Tuzlës, ajo është përzgjedhur edhe si asistente për realizimin e hulumtimeve shkencore në fushën e Logopedisë, në Fakultetin e Edukimit dhe Rehabilitimit.

Përveç përkushtimit të madh në studime dhe në fushën profesionale, ajo gjithashtu është angazhuar si përkthyese dhe asistente në organizanta të ndryshme ndërkombëtare si në Institutin Ludwig Boltzman për të Drejtat e Njeriut dhe në Misionin e OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë. Znj. Ibrahimagić ka qenë pjesëmarrëse aktive në dhjetë projekte të rëndësishme shkencore. Vlen të theksohet se znj. Ibrahimagic është autore dhe bashkëautore e dy teksteve shkollore për studentët e Departamentit të Logopedisë, në Fakultetin e Edukimit dhe Rehabilitimit, me titujt “Çrregullimet e zërit, gjuhës dhe të folurit” dhe “Çrregullimet zhvillimore të gjuhës së folur”.