Gruaja, Iniciatore për ndryshim

Gruaja, Iniciatore për ndryshim

“Gruaja, Iniciatore për ndryshim”

 

Në debatin e dytë të organizuar nga Qendra për Arsim dhe Karrierë pjesë e Kolegjit Heimerer, folëm për rolin e gruas si iniciatore dhe promotore e ndryshimit dhe zhvillimit në shoqëri.

Takimu u hap nga udhëheqësi i Qendrës për Arsim dhe Karrierë, Z. Nehat Mustafa, i cili në fjalën e tij vuri theksin në rëndësinë që këto takime kanë për studentët e Kolegjit Heimerer. Më pas takimi u moderua nga Znj. Naime Brajshori, zëvendës drejtoreshë e Kolegjit Heimerer, njëkohësisht edhe dekane e programit të Infermierisë.

Në një shoqëri ku gruaja shihet më së shumti e lidhur me rolet e saj sociale si, nënë, bashkëshorte, mësuese, partnere etj., e cila sakrifikon ëndrrat dhe dëshirat e saj, është shumë  rëndësishme që të dëgjojmë histori dhe rrëfime personale të cilat na tregojnë që gruaja është dhe mundet me qenë përtej një roli të vendosur nga konjektuara e mendjeve të ngushta.

Diskutimi u bë me shumë elegancë midis dy brezave, të përcjellur më së miri nga mendimi i pasur dhe elokuent i prof.dr. Natyra Karahoda Gjurgjeala, e cila është edhe Rektore e Kolegjit Heimerer dhe vajzës së saj, Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë ekzekutive e organizatës jo qeveritare TOKA.

Ky ka qenë një takim me rrëfime motivuese dhe mesazhe të forta për të gjithë sa ishin pjesë. Jehona Gjurgjeala vjen nga një eksperiencë më shumë se 15 vjeçare jashtë kufinjëve të Kosovës. Pavarësisht kësaj, ajo është kthyer prej tre vitesh në Kosovë, ku dhe jep kontributin e saj të çmuar për brezat e rinj, nëpërmjet edukimit me aktivitetet e organizatës TOKA. Në rrëfimin e saj për audiencën, sidomos për ata të rinj të cilët dëshirojnë që të ikin të studiojnë apo punojnë jashtë vendit, ajo tha që “nëse dëshironi të merrni përvoja jashtë vendit, duhet të përgatiteni të jeni vetëm, shumë vetëm, të rrëzoheni, të ngriheni, të thyeni qafën, e përsëri të ngriheni vetë e të ecni përpara. Të jetuarit ne shoqëri të avancuara, ballafaqimi me kultura, gjuhë, nacionalitete dhe institucione të huaja, mëson gjëra që asnjë shkollë nuk i mëson. Kjo është më shumë se shkollë; është shkollë jete”.

Gjërat nuk ndodhin sa hap dhe mbyll sytë. Ndryshimet nuk ndodhin nëse nuk rrisim të rinj guximtarë, të pavarur, si Jehona, e cila që në moshën 8-vjeçare ka shkuar në kursin e anglishtes vetëm. I riu sot duhet që kur zgjohet nga gjumi, të shohë veten në pasqyrë dhe t’i thotë vetes: Ti je ndryshimi! Ti duhesh! Ti mundesh!

Debati u mbyll më së miri me një mesazh shumë njerëzor nga Prof.Dr.Natyra Karahoda-Gjurgjeala, e cila na kujtoi që para se gjithash njeriu duhet të bëjë atë që e lumturon, duhet të punojë atë profesion që e ndihmon të zhvillohet jo vetëm si profesionist, por të zhvillojë lumturinë brenda vetes. Kështu duhet të jetë rinia sot, kështu duhet të jetë rinia e Kolegjit Heimerer, rinia e Kosovës, një rini aktive, një rini e cila kultivon lumturinë brenda vetes, lumturinë e të shërbyerit një kauze më të madhe se vetja, më të madhe se familja e tij. Lumturinë e të shërbyerit zhvillimit të shoqërisë, lumturinë e vënies një gur në kalanë e këtij ndryshimi sot, sepse nesër është vonë.

 

***

Klubi i Debatit është një takim i përmuajshëm që organizohet nga Qendra për Arsim dhe Karrierë në bashkëpunim me Kolegjin Heimerer.

Në këtë klub do të ketë të ftuar personalitete të fushave të ndryshme, që kanë shënjuar me kontributin e tyre në Kosovë dhe më gjerë.

 

Qëndro i vëmendshëm për të ftuarin e radhës!

Regjistrohu në klubin e debatit:

karriera@kolegji-heimerer.eu

info@kolegji-heimerer.eu

Mobile: 049-947-612