Infermierët përgatiten për vitin e tyre global – 2020 viti i infermierisë në të gjithë botën

Infermierët përgatiten për vitin e tyre global – 2020 viti i infermierisë në të gjithë botën

Duke qenë profesioni më atraktiv dhe më i kërkuar në botë, infermierët kërkojnë të dëgjohet zëri i tyre edhe në Kosovë

Dje më 6 Maj 2019, kanë filluar aktivitetet e javës ndërkombëtare të infermierisë në Kosovë e të cilat do të zgjasin deri me datën 12 Maj në ditën ndërkombëtare të infermierisë që shënohet në tërë botën, në nder të Znj. Florence Nightingale gjegjësisht në ditën e lindjes së saj.

Kolegji Heimerer shënoi ditën ndërkombëtare  të infermierisë përmes organizimit të tryezës së rrumbullakët me temë: “Infermieria: Zëri qe udhëheq- Shëndeti për te gjithë” me ekspertë të fushës dhe rajonit. Ky është viti i 4-t që udhëzuesi i Këshillit ndërkombetar të Infermierëve në Gjenevë i jep te drejtën ekskluzive Kolegjit Heimerer për përkthim në gjuhën shqipe. Në tryezë ishim të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Oda Infermierore e Kosovës dhe profesionistëve të tjerë Shëndetësor, Universiteti i Prishtinës, Urdhëri i Infermierëve te Shqipërisë, Universiteti i Infermierisë se Tiranës, përfaqësues te kujdesit shëndetësor të nivelit parësor, dytësor dhe tretësor, profesorë dhe studentë të infermierisë.

Fjala hyrëse ishte nga drejtori i bordit drejtues të Kolegjit Heimerer, z. Petrit Beqiri, i cili e drejtoi debatin në kuadër te udhëzuesit te  Këshillit Ndërkombëtar Infermieror (ICN) 2019.

Më pas u prezantuan pikat kryesore të udhëzuesit te ICN duke u ndalur në sfidat më të cilat përballen infermierët nëpër botë e që udhëzuesi mbetet një dokument shumë i rëndësishem referues për infermieret dhe sfidat e tyre nëpër botë, pjesë qe u referua nga znj. PhD Cand.  Besarta Taganoviq.

Duke qenë një kolegj i cili njihet për punën në hulumtime shkencore, gjatë tryezës u bë prezantimi i dy hulumtimeve të kryera nga programi i Infermierisë së Kolegjit Heimerer që ndërlidhen me rolin dhe sfidat që hasen nga infermierët në Kosovë.  Hulumtimi i parë u prezantua nga Dekanja e Programit të Infermierisë dhe njëkohësisht zëvendës Kryetare e Bordit Drejtues të Kolegjit Heimerer, Znj Prof. Ass. Naime Brajshori- që njëherit është edhe ndër doktoreshat e para e shkencave infermierore në Kosovë. Të gjeturat e hulumtimit treguan se sa më i lartë nivelit i djegies profesionale (burn out) aq me shpesh infermierët mendojnë ta lënë punën. Njëkohësisht, sa më i lartë të jetë kujdesi i udhëheqësit ndaj infermierit aq më e ultë është mundësia për të pasur ‘burn-out’, dhe aq më e lartë është cilësia e shërbimeve shëndetësorë. Sipas hulumtimit, të paktën në 6 muajt e parë infermierët duhet që të jenë nën mbikëqyrje dhe përkujdesje të vazhdueshme nga udhëheqësit infermieror.

Hulumtimi i dytë u paraqit nga znj. MSc Albina Bytyqi dhe kishte si temë udhëheqjen infermierore në sektorin publik në Kosovë. Të gjeturat e hulumtimit dhanë një tablo rreth gjendjes reale së udhëheqjes infermierore në lidhje me nivelin e edukimit të  udhëheqësve infermieror dhe nevojës për trajnime të vazhdueshme për të rritur kapacitetet udhëheqëse në fushën e infermierisë.

Në vazhdim, përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, znj. Fetije Huruglica, Shefe e Infermierisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kujdesit afatgjatë, cilësoi se  infermieria është art dhe shkencë. Ajo ndau me pjesëmarrësit se  Ministria e Shëndetësisë është duke punuar të ofroj qasje universale në shërbime shëndetësore.  Gjithashtu të pranishmit u lajmëruan se Ministri dhe sekretari kanë premtuar që do të finalizohet ligji i infermierisë dhe do të arrihet që infermierja kosovare të jetë udhëheqëse globale.

Znj. Lirie Beqiri, nënkryetare e Odës së Infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor në Kosovë, diskutoi rreth infermierisë së dalë nga lufta dhe moton “nderojmë të kaluarën – ndërtojmë të ardhmen”. Ndërsa, Znj. Elvana Podvorica, përfaqësuese e Universitetit te Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, Departamenti i Infermierisë dhe Mamive, Dega Infermieri,  diskutoi rreth pikave synuese për zhvillimin e kujdesit paliativ dhe kujdesit shtëpiak, rolin e infermierit si udhëheqës si dhe rolin e infermieres familjare.

Znj Blerina Duka, Presidente e Urdhërit të Infermierëve të Shqipërisë, diskutoi rreth  motos : “Më beso jam infermiere” si fushatë javore që po mbahet në Shqipëri për të shënuar ditën ndërkombëtare të Infermierisë. Ajo diskutoi rreth nevojës për të përgatitur gjenerata infermierësh që janë gati të përballen me sfidat politike në mënyrë që zëri infermieror të jetë i plotë dhe kompetent. “Zëri universal që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit do të jetë zëri i infermierëve” – tha Duka.

Pas diskutimit të hapur sa i përket rolit dhe sfidave të infermierëve në Kosovë, tryeza nxorri këto rekomandime:

  •    Ligji i Infermierisë

Të krijohet dhe të aprovohet sa më parë ligji për infermierinë në Kosovë.

  •    Fuqizimi i zërit infermieror

Përmes bashkëpunimit më të gjithë akteret në fushën e infermierës si brenda Kosovës ashtu edhe në Shqipëri arrihet fuqizimi i zërit infermieror.

  •   Promovimi i Infermierëve në vendet shqip-folëse
  •   Të adresohen sfidat përmes mediumeve për Infermierinë
  •   Të aganzhohemi fuqishëm për përfaqësim politik
  •  Të promovohen publikimet shkencore nga infermierët që zgjedhin jetën akademike
  •  Të Ofrojmë trajnime për infermierët për t’i pajisur me kompetenca dhe aftësi drejtuese dhe perfaqësuese në menyrë që zeri infermieror të dëgjohet në të gjitha forumet ku mirren vendimet në lidhje me shëndetësinë.
  •    Të listojmë qëllimet e vitit ( Të punojmë të arrijmë rezultate me punën tonë që të prezantohemi si komunitet i rëndësishëm për shoqërinë)
  •    Të kemi strategji kombëtare për prioritetet tona dhe të vendosen qëllimet që çdo infermier të ketë informacion rreth punës së përfaqësuesve infermieror.
  •    Të zhvillohen protokolet klinike
  •    Të respektohet ligji i punës dhe kontratat kolektive në mënyrë që të mbrohet shëndeti dhe të drejtat e punëtorëve infermieror
  •    Ruajtja dhe siguria e infermierëve në punë
  •    Krijimi i fushave infermierore Specifike siç janë: Kujdesi Paliativ, gerantologjia, etj.

Më pas, Kolegji Heimerer i dha mirënjohje moderatorit të njohur Z. Agron Krasniqi për mbështetjen e tij dhe promovimin e rolit të infermierit në shoqëri për vite me radhë.

 

Aktiviteti është mbështetur nga Fondacioni Gjerman Friedrich Ebert në Prishtinë.