Kolegji Heimerer organizoi tryezë diskutimi për Ditën Botërore të Shëndetit

Kolegji Heimerer organizoi tryezë diskutimi për Ditën Botërore të Shëndetit

Dita Botërore e Shëndetit për vitin 2019, e festuar më 7 Prill,  i dedikohet sigurimit shëndetësor universal dhe gjithëpërfshirës. Një prej 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të hartuara nga Kombet e Bashkuara është të punojë drejt përmirësimit të qasjes në kujdesin shëndetësor për të gjithë popullatën botërore deri në vitin 2030. Gjetja e një mënyre për të ofruar qasje në kujdesin shëndetësor për të gjithë është prioritet për  Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Ndërsa, Kolegji Heimerer ka prioritizuar përmirësimin e qasjes në kujdesin parësor shëndetësor për të gjithë kosovarët. Për këtë arsye, të premten, më 5 prill, Kolegji Heimerer organizoi tryezën e parë të vitit që diskutoi për kujdesin parësor shëndetësor në Kosovë duke u fokusuar në qasjen gjithëpërfshirëse..

Pjesëmarrës në këtë tryezë diskutimi ishin përfaqësues të Parlamentit të Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Fondit të Sigurimeve, Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, organizatat të ndryshme nga shoqëria civile dhe dekanë e staf akademik nga Kolegji Heimerer. Kjo ishte një nga shanset e rralla që këta përfaqësues nga institucione të ndryshme të bashkohen dhe të diskutojnë për sfidat e kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë dhe zgjidhjet e mundshme.

Moderuar nga Dekani i programit Pedagogjia Profesionale në Shëndetësi, MD. Bernard Tahirbegolli, tryeza e diskutimit së pari filloi me shpalosjen e projekteve të zhvilluara dhe zbatuara nga Ministria e Shëndetësisë. Udhëheqësja e Divizionit të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, Albana Morina, i informoi pjesëmarrësit për arritjet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kosovë dhe takimet rajonale që mbahen në Kosovë, të cilat kanë për qëllim zhvillimin e një plani operativ. Morina gjithashtu theksoi mungesën e mjekut të familjes në Kosovë që po dëshmon të jetë pengesë për plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës. Përfaqësuesit e Kolegjit Heimerer, nga ana tjetër, vunë në pah punën e pabesueshme që Kolegji Heimerer po bën për të formësuar profesionistë shëndetësor në mënyrë që të mbulojë nevojat e sistemit shëndetësor kosovar. Veçanërisht, të diplomuarit e Pedagogjisë Profesionale në Shëndetësi nga Kolegji Heimerer po ndihmojnë për të edukuar gjeneratën e ardhshme të profesionistëve shëndetësor në Kosovë.

Diskutimi i tryezës vazhdoi me fjalimin e përfaqësuesit nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, Xhevat Ukaj, i cili foli mbi barrierat financiare që pengojnë progresin e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kosovë. Ukaj argumentoi se një nga shqetësimet kryesore për kujdesin shëndetësor në Kosovë janë pacientët që marrin barrën financiare të kujdesit shëndetësor mbi supet e tyre. Prandaj, ai theksoi domosdoshmërinë e një Fondi funksional të Sigurimeve Shëndetësore dhe kërkesën për një qasje serioze ndaj problemit të sigurimit shëndetësor në Kosovë. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka mungesë të punëtorëve profesional dhe Ukaj paralajmëroi se kjo mund të jetë një çështje për Fondin në të ardhmen. Shumica e punonjësve potencialë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore duhet të trajnohen përmes trajnimeve të  zhvillimit profesional në mënyrë që të jenë të përgatitur për punë serioze. .

Bajram Maxhuni, ekspert i lartë i kujdesit parësor shëndetësor, theksoi se sistemi i dobët shëndetësor nuk është vetëm një çështje financiare. Maxhuni veçoi menaxhimin e dobët si një nga çështjet kryesore që shqetësojnë sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe që ka nevojë për vëmendjen e institucioneve përgjegjëse. “Ndikimi i politikës në kujdesin shëndetësor dhe punësimi i individëve të pakualifikuar në pozita menaxheriale dëmton sistemin  shëndetësor publik. Planifikimi më i mirë i investimeve dhe menaxherë të kualifikuar do të përmirësonin sistemin shëndetësor në Kosovë. Nuk duhet të mbështetemi në improvizim dhe planifikimi i sistemit shëndetësor duhet të marrë parasysh mendimin e popullit”, pohoi Maxhuni. Ai theksoi gjithashtu se kujdesi shëndetësor nuk ka qenë prioritet i qeverisë për një kohë shumë të gjatë, kështu që nevojitet përpjekje shtesë për të përmirësuar shumë aspekte të dështuara të tij.

Me fjalë pozitive për kujdesin parësor shëndetësor e nisi fjalimin deputetja e Parlamentit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Deputetja Mulhaxha-Kollçaku tha se “kujdesi parësor nuk është goditur nga skandalet e korrupsionit që kemi përjetuar në nivele të tjera të sistemit shëndetësor”. Megjithatë, Mulhaxha-Kollçaku u drejtua menjëherë tek çështjet dhe sfidat e sistemit shëndetësor në Kosovë. Mungesa e llogaridhënies dhe monopoli i kompanive të sigurimeve private kanë dëmtuar sistemin e shëndetësor në Kosovë. “Mbulimi vetanak i trajtimeve shëndetësore është shqetësuese dhe është pasojë e dështimit të qeverisë për zbatimin e ligjit për sigurimin shëndetësor” tha Mulhaxha-Kollçaku. Përveç kësaj, Mulhaxha-Kollçaku theksoi gjithashtu nevojën për të mbrojtur dhe përforcuar pozitën e profesionistit shëndetësisë. Ata shpesh herë janë të mbingarkuar dhe nuk kompensohen mirë për punën e tyre. “Këto kushte të këqija pune janë një nga shkaqet kryesore që i shtyjnë profesionistët shëndetësor të largohen nga Kosova drejt shteteve që ofrojnë mundësi më të mira për ta” konkludoi Mulhaxha-Kollçaku.

Dr, Ilir Hoxha, prorektor në Kolegjin Heimerer, theksoi përparësitë e zbatimit të ligjit për sigurimin shëndetësor, pa marrë parasysh kufizimet dhe mangësitë e tij. Hoxha beson se situata e tanishme paraqet momentin më të mirë për të fuqizuar Kujdesin Parësor Shëndetësor në Kosovë, duke ndryshuar perceptimin e popullit për rolin e mjekut familjar dhe të QMF-ve. Ai tha se përqendrimi në përmirësimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor është përdorimi më i mirë i fondeve publike. Ndërsa, Dr. Leonora Paice, koordinatore e programit të infermierisë në Kolegjin Heimerer, diskutoi rëndësinë e vendimmarrjes që bazohet në prova dhe fakte sesa në improvizim. Fjalimi i saj u fokusua në rëndësinë që duhet t’i kushtohet planifikimit dhe menaxhimit me qëllim të përmirësimit të sistemit shëndetësor. Të dy përfaqësuesit nga Kolegji Heimerer shprehën gatishmërinë e Kolegjit për të ndihmuar dhe mbështetur institucionet qeveritare në gjetjen e rrugëve për përmirësim. Programi Master Menaxhimi i Institucioneve dhe Shërbimeve Shëndetësore në Kolegjin Heimerer aktualisht është duke formësuar menaxherë të kualifikuar shëndetësorë që potencialisht mund të zgjidhin çështjet e menaxhimit të dobët të sistemit shëndetësor në Kosovë.

Përfundimisht, përfaqësuesit e QKMF-ve nga qytete të ndryshme të Kosovës diskutuan nevojën për cilësi më të mirë të shërbimeve dhe alokim më të mirë të burimeve financiare. Përfaqësuesi nga Prishtina, Bujar Gashi, foli për QMF-të që janë ndërtuar në komunitete me shumë pak banorë ku kostoja operative është shumë më e lartë se kërkesa për shërbime shëndetësore. Gashi tregoi se alokimi i burimeve financiare duhet të marrë në konsideratë numrin e shërbimeve shëndetësore të QMF-ve në secilin qytet në vend të numrit të banorëve që jetojnë në atë qytet.

Tryeza e diskutimit e mbajtur në Kolegjin Heimerer rezultoi të jetë një diskutim i suksesshëm mbi Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe qasjen gjithëpërfshirëse ku shumë pjesëmarrës u larguan të motivuar dhe të informuar rreth mënyrave për të pasur një ndikim pozitiv në sistemin shëndetësor në Kosovë. Tryeza përfundoi me shpresën se kujdesi parësor shëndetësor në Kosovë dhe sistemi shëndetësor në përgjithësi do të përmirësohen në vitet e ardhshme. Kjo tryezë dëshmoi edhe një herë se fokusi i Kolegjit Heimerer në krijimin e gjeneratës së ardhshme të profesionistëve dhe menaxherëve shëndetësor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Kosovë.