Kosovës i nevojiten edhe mbi 400 mjekë familjar

Kosovës i nevojiten edhe mbi 400 mjekë familjar

Shërbimet shëndetësore për kujdesin parësor, Kosova përballet me mungesë të mjekëve familjarë dhe me ndërhyrje politike për emërimin e njerëzve profesionale nëpër pozita kyçe në institucionet shëndetësore.

Kështu u tha sot në konferencën me temën “Kujdesi parësor shëndetësor në Kosovë: Qasja gjithëpërfshirëse” të organizuar nga Kolegji Heimerer.

Në këtë tryezë po ashtu u potencua se mos zbatimi i ligjit për sigurime shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë, është edhe një e metë tjetër për qytetarët  Kosovës.

Dekani i programit Pedagogji profesionale në shëndetësi në Kolegjin Heimerer, Bernard Tahirbegolli, tha se kujdesi parësor shëndetësor është mjaft me rëndësi për një vend, dhe për këtë shteti edhe më tej duhet të jetë i përkushtuar me mjete financiare për këtë sektor shëndetësor.

Tahirbegolli tha se “Qasja gjithëpërfshirëse” është zgjedhur si temë, për arsye se edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë janë të përkushtuar për mbulueshmërinë universale shëndetësore.

Udhëheqësja e divizionit të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Ministri të Shëndetësisë, Albana Morina tha se kjo ministri harton politikat për kujdesin parësor, por tha se Kosovës i nevojiten edhe mbi 400 mjekë familjar, duke marrë parasysh numrin e banorëve.

Ndërsa, Xhevat Ukaj nga Fondi i Shëndetësisë, tha se shëndetësia në Kosovë në gjithë periudhën e  pas luftës nuk ka qenë në prioritet të qeverisë së Kosovës.

Uka tha se kërkesat e pacientëve për mbështetje financiare janë më të mëdha se sa mjetet që janë në Fondin Shëndetësor.

Bajram Maxhuni ekspert i lartë i shëndetësisë në Projektin Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor(KSHQC) theksoi se ka një rritje të kujdesit parësor në shëndetësi

Sipas Maxhunit, para të mjaftueshme për shëndetësi nuk ka me pasur kurrë, mirëpo ai tha se problemet në shëndetësi janë duke filluar nga menaxhimi, si pasojë e ndërhyrjeve të mëdha politike dhe emërimet në pozita kyçe të njerëzve jo profesional.

Ndërsa, deputetja Fatmire Kollçaku, tha se mos zbatimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, e bën të pabarabartë Kosovën me shtetet e rajonit. Sipas saj,  çdo shtyrje e implementimit të ligjit për sigurime shëndetësore, është në favor të kompanive të sigurimit. Andaj, ajo ka kërkuar që të zbatohet ligji dhe të thyhet monopoli për këtë fushë.

Ilir Hoxha prorektor në Kolegjin Heimerer tha se në krahasim me shërbimet shëndetësore sekondare dhe terciare, kujdesi parësor është funksional në shërbimin shëndetësor, por që ka barriera në qasje në këtë sektor (barriera financiare).

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe disa përfaqësues të QKMF-vë të komunave në Kosovë