Prof. Toke Hilgeholt mban ligjëratë në Kolegjin Heimerer

Prof. Toke Hilgeholt mban ligjëratë në Kolegjin Heimerer

Prof. Toke Hilgeholt nga Holanda ka mbërritur në kampusin e Kolegjit Heimerer të premtën, me datën 5 prill, për të mbajtur një ligjëratë për shkencat terapeutike, specifikisht mbi teknologjinë e rehabilitimit. Prof. Toke Hilgeholt ka përfunduar studimet Master në Shkencat e Lëvizjes Njerëzore nga Universiteti Free në Amsterdam. Për më tepër, punimet e saj shkencore mbi fëmijët me PC (paralizë cerebrale) dhe perceptim-veprim kanë marrë vëmendje në botën akademike të shkencave terapeutike.

Prof. Hilgeholt, aktualisht e punësuar në Motek Medical në fushën e Teknologjisë Rehabilituese në Departamentin e Trajnimit dhe Arsimit, foli për rolin e teknologjisë në plotësimin e nevojave të personave me aftësi ndryshe dhe teknikat që ndihmojnë në rimëkëmbjen pas lëndimit ose sëmundjes. Tema kryesore e leksionit ishte rëndësia e teknologjisë në fushën e rehabilitimit dhe ndryshimi i metodave rehabilituese si pasojë e zhvillimit të teknologjisë. Ligjëruesja foli edhe për të metat e teknologjisë rehabilituese në ditët e sotme dhe mundësinë për të hulumtuar mënyra më të mira për të përfshirë teknologjinë në rehabilitim.

Ligjërata ka marrë vëmendje të madhe nga studentët e  Kolegjit Heimerer, veçanërisht nga studentët e Ergoterapisë. Kolegji Heimerer zotohet që do të vazhdojë të ftojë më shumë ligjëruesë dhe ekspertë si Prof. Hilgeholt në mënyrë që të përfitojnë studentët.