Përfundoi me sukses Konferenca e dytë Evropiane e Terapisë së Gjuhës dhe të Folurit

Përfundoi me sukses Konferenca e dytë Evropiane e Terapisë së Gjuhës dhe të Folurit

E martë më 6 mars 2018, me rastin e Shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Logopedisë, në hotelin Swiss Diamond nën prezencën e më shumë se 450 pjesëmarrësve, filloi Konferenca e Dytë Evropiane e Terapisë së Gjuhës dhe të të Folurit e organizuar nga Kolegji Heimerer dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, deputetë, pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Portugalia, Qipro, Bosnja dhe Hercegovina, Anglia dhe Amerika.

Hapja e Konferencës është bërë nga Drejtori i Kolegjit Heimerer, z.Petrit Beqiri, i cili i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe tregoi edhe njëherë rolin e profesionit të logopedit në Kosovë dhe sfidat më të cilat ballafaqohen si pacientët poashtu edhe logopedët, dhe njëherësh i falënderoi edhe të gjithë studentët, bashkëpunëtorët dhe mysafirët të cilët vazhdojnë të bëjnë punë të mrekullueshme për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e logopedit tek popullata.

Më tutje, z.Beqiri theksoi se është i lumtur që javën e kaluar janë licencuar edhe kuadrot e para si logopedë në Kosovë dhe kjo do të jetë një epokë e re e këtij profesioni në Kosovë. Ai tha se tani do të fillojnë të shihen rezultatet e para të suksesit të trajtimit.

“Jam krenar që studentët e Kolegjit Heimerer do të jenë edhe ambasadorët e këtij profesioni në vend dhe rajon”, tha z.Beqiri para të pranishmëve.

Më pas, znj.Lulavere Behluli nga MASHT-i përgëzoi kolegjin për këtë organizim duke  u shprehur se kjo konferencë është me interes shumë të veçantë për Ministrinë e Arsimit dhe të gjitha Institucionet relevante në vend për zhvillim të këtyre profesioneve duke e pasur parasysh mungesën e këtyre shërbimeve dhe nevojës së madhe të pacientëve për to.

“Komunikimi alternativ ka për qëllim avancimin e formave të komunikimit për personat e prekur. Ministria vazhdimisht do të ofrojë përkrahje ligjore në avancimin e këtyre shërbimeve në mënyrë që personat e prekur të kenë zë dhe të jenë të barabartë në shoqëri me theks të veçantë ofrimin e mundësive për këto trajtime dhe shërbime nëpër shkolla”, tha znj. Behluli.

Tutje, znj.Behluli theksoi se Ministria do të botojë një libër për komunikimin alternativ, i cili do të ju shërbejë mësuesve dhe nxënësve në avancimin e komunikimit.

Prodekani i fakultetit Filologjik në universitetin e Tetovës, z.Buniamin Memedi, falënderoi pjesëmarrësit dhe u shprehur i lumtur që kjo temë po trajtohet sepse shumë fëmijë janë të prekur nga këto çrregullime dhe se është kënaqësi që këta fëmijë dhe prindërit e tyre në një formë apo tjetrën të marrin trajtim.

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, znj.Arbërie Nagavci, u shpreh se sfidë nuk e kemi vetëm mungesën e logopedëve, por sfidë ende mbetet infrastruktura, kushtet, pajisjet por edhe kompetencat e mësimdhënësve. “Prandaj uroj logopedët e parë të licencuar në Kosovë, studentë të Kolegjit Heimerer dhe shpresoj që institucionet do të ofrojnë edhe mbështetje ligjore dhe mundësi punësimi sepse nevoja për shërbimet e tyre është shumë e madhe”, theksoi znj. Nagavci.

Zonja Igballe Potera nga Qendra Burimore Përparimi u shpreh se komunikimi alternativ ju ndihmon shumë personave të prekur dhe familjeve të tyre të kenë një jetë më të lehtë dhe të aftësohen për punë dhe jetë. “Rezultatet e këtij komunikimi veçse jemi duke i parë tek nxënësit tanë, por ende kemi hezitim nga prindërit që t’i përdorin këto trajtime si mungesë e informatave të duhura, prandaj uroj që Konferenca dhe organizime të tilla të shërbejnë edhe për informim”, deklaroi znj. Potera.

Kryetari i shoqatës së Autizmit, z.Cen Krasniqi, falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar dhe ju kanë dalë në ndihmë fëmijëve me autizëm dhe theksoi se komunikimi alternativ është shpresë shumë e madhe për fëmijët tonë me autizëm që të fillojnë të komunikojnë me njerëz të tjerë.

Logopedia është profesion i ri shëndetësor në Kosovë i cili ofrohet nga Kolegji Heimerer, i cili merret me vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve dhe të rriturve të cilët kanë lloje të ndryshme të problemeve në të folur, gjuhë dhe komunikim, me ata të cilët kanë vështirësi në gëlltitje, si dhe në shkrim e lexim.

Kjo Konferencë është organizuar nga Kolegji Heimerer dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale.