Të gjithë e kemi ngjitur Everestin

Të gjithë e kemi ngjitur Everestin

“Të gjithë e kemi ngjitur Everestin”
Të gjithe ne kemi “Everestin” tonë të dëshirave, ëndrrave apo qëllimeve që duam t’i arrijmë dhe rrugëtimi i realizimit të tyre ka vështirësitë dhe pengesat e veta. Por kur i arrijmë, mund të themi “Unë e ngjita Everestin tim”. Çdo pikë ngjitjeje në mal është majë për njeriun, çdo hap hedhur shtegut është një realitet i panjohur brenda dhe jashtë vetes që ne e zbulojmë. Kur themi “mali” në këtë rast, mund ta mendojmë edhe si alter egon tonë, pra një vete tjetër, të cilën ne nuk e njohim shumë mirë, një vete tjetër që nuk ia dijmë limitet, mundësitë, por mali ia jep të gjitha përgjigjet.
I tillë na erdhi reflektimi nga rrëfimi i Arineta Mulës për malin, alpinistja e ftuar në takimin e katërt të debatit, e cila përmbylli edhe ciklin e takimeve për vitin 2018.

Beso tek vetja! Beso tek tjetri!

Gjatë rrëfimit të saj Arineta na tregoi që ka momente që gjatë ngjitjes së një mali suksesi jot është krejtësisht i varuar nëse beson tek tjetri.
Sepse nëse ti nuk beson te personi tjetër që po mban litarin ku ti po ngjitesh, atëherë ti nuk do të ngjitesh asnjëhere tek ai litar, dhe kjo do të reflektojë edhe rezultatin e punës tënde.
Pra, të besuarit tek vetja, që reflektohet edhe në besimin tek tjetri është një nga pikat kyçe, jo vetëm për të ngjitur majet e maleve, por mbi të gjitha për të arritur suksese të tjera edhe në përditshmërinë tonë.
Shpesh e harrojmë se sa e rëndësishme është të kesh besim tek tjetri, se sa e rëndësishme është që të jemi mirënjohës që ajo që arrijmë nuk është gjithmonë fitore vetëm e jona, por edhe atyre që na ndihmojnë, edhe e atyre që i besojmë dhe na besojnë gjatë atij rrugëtimi.

Nëpërmjet maleve e dua Kosovën!
Në këtë rrëfim, ku u fol për familjen, për shoqërinë që të bëhet si familje, për ngjitjet në majat më të larta të botës dhe të europës, mesazhi që dha në fund Arineta ishte i thjeshtë dhe i bukur: Nëpërmjet maleve kam njohur Kosovën e bukur. Unë e dua Kosovën, duaje edhe ti! Vetëm duke e dashtë vendin tonë, vetëm duke e njoftë malin, rrugën, qytetin tonë, ne mund ta pranojmë të me të mirat dhe të punojmë për të përmirësuar të këqijat e tij.

* * *
Klubi i debatit është një aktivitet i përmuajshëm që organizohet nga Qendra për Arsim dhe Karrierë në bashkëpunim me Kolegjin Heimerer.
Në këtë klub do të ketë të ftuar personalitete nga fusha të ndryshme, që kanë shënjuar me kontributin e tyre në Kosovë e më gjërë.

Qëndroni të vëmendshëm për të ftuarin e radhës!

Regjistrohu për takimin e radhës:
Info@kolegji-heimerer.eu
karriera@kolegji-heimerer.eu